Gjiknuri: Listat për votën e diasporës do të jenë gjithmonë publike në KQZ
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri u shpreh sot se listat për votën e diasporës do të jenë gjithmonë publike në KQZ.
Në mbledhjen e komisionit të ligjeve, Gjiknuri theksoi se për shkak të transparencës, votat do të numërohen drejtpërdrejt nga KQZ.
“Për shkak të këtij vakuumi që kishte Ligji Zgjedhor, ne u detyruam paraqitëm tri inciativa. E para, për ligjin për votën e diasporës, me të drejtë gjetëm kompromis. Krijuam më shumë fleksibilitet. E dyta, e bën procesin më me integritet dhe transparencë, sepse listat do të jenë gjithmonë publike në KQZ. Pra, në kohë reale partitë politike, përfaqësuesit e tyre kanë dijeni për të gjithë dinamikën e listës zgjedhore për votuesit që votojnë jashtë”, theksoi ai.
Gjiknuri theksoi se votat do të numërohen në KQZ.
“KQZ ka eksperiencë për numërimin e votave, është transparente. Kemi vënë një kuti aty që në momentin që hapen, për shembull, në qarkun Vlorë ose Durrës, automatikisht fillojnë numërohen dhe votat që vijnë nga diaspora”, tha Gjiknuri.
