OKB: Rreth 500 000 njerëz përballen me ‘nivele katastrofike të urisë’ në Gazë

Pothuajse gjysmë milioni njerëz në Rripin e Gazës po vuajnë nga “nivele katastrofike të urisë”, paralajmëruan sot Kombet e Bashkuara.

“Qasja dhe furnizimet e kufizuara kanë bërë që familjet shpesh të mos marrin ndihmën ushqimore që u nevojitet”, tha OKB-ja në një postim në X.

“Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së mbetet në terren, por ka nevojë për akses të besueshëm dhe furnizime ndihmash”, thuhet në postim.

Pas më shumë se nëntë muaj lufte dhe shkatërrime të rënda në Rripin e Gazës, sipas organizatave të ndihmës, situata humanitare për popullatën është në krizë të rëndë. Ende nuk po shihet një fund.

Izraeli ka bllokuar dhe bombarduar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës në një luftë të nisur pasi grupi militant palestinez Hamas udhëhoqi sulmet e paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor, ku u vranë më shumë se 1200 njerëz.

Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi në Gazë, më shumë se 38,000 njerëz janë vrarë në territorin palestinez që nga fillimi i luftës. Shifra, e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, aktualisht nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.