Omeri: Nga rritja e moshës së grave shtatzëna tek ikja e të rinjve, ja arsyet se pse shqiptarët po lindin më pak

Pse po lindin më pak shqiptarët? - Ishte kjo pyetja e ngritur gjatë intervistës në studion e lajmeve në “Ora News”, ku gjinekologia Xheni Omeri, renditi disa prej arsyeve se pse çiftet shqiptarët ngurojnë për të ndërmarrë përgjegjësi.

“Mendoj se ky është rezultat i shumë faktorëve të bërë së bashku dhe që na kanë sjellë këtë. Së pari, është mosha e gruas për të bërë lindje, e cila nga 20 vjeçe, tashmë ka ardhur tek të 30-at.

Dhe në këtë moshë nuk ka më kohë për një fëmijë të dytë, pasi dhe arritja e moshës 35 vjeçare e bën shumë të vështirë lindjen, pasi ka arritur mosha e inferlitetit.

Edhe po të duan, në këtë moshë edhe nuk ngelin dot shtatzënë. E vetmja mënyrë është metoda invitro, e cila dihet që ka një kosto shumë të lartë financiare. Në kushtet shtetërore akoma nuk është instaluar.

Së dyti, gruaja e shikon veten të pasigurtë në aspektin ekonomik. Ti e ke shumë të vështirë të shkëputesh nga puna për një shtatzëni dhe duhet ta mendosh dy herë që të mbash edhe punën edhe një shtatzëni që mund të ketë nevojë edhe për regjim.

Po ashtu ka një lëvizje shumë të madhe të të rinjve në emigracion. Pra, neve na ka ikur mosha riprodhuese e shoqërisë. Dhe mesatarja kemi çifte që bëjnë një fëmijë dhe shumë pak prej tyre mund të bëjnë të dytin”, u shpreh ndër të tjera gjinekologia Xheni Omeri.