Le Pen kritikon yllin e futbollit Mbappe ndërsa Franca voton në raundin e dytë të zgjedhjeve

Marine Le Pen kritikoi sot yllin e futbollit Kylian Mbappé për thirrjen e tij publike ndaj votuesve francezë që të pengojnë partinë e saj të ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” që të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare.

“Francezët janë lodhur duke u dhënë leksione dhe këshilla se si të votojnë”, tha politikania për CNN.

“Mbappé nuk përfaqëson francezët me prejardhje emigrante, sepse ka shumë më tepër prej tyre që jetojnë me pagën minimale dhe nuk mund të përballojnë strehim dhe ngrohje ashtu si z. Mbappe”, tha ajo.

Lojtari i Real Madrid ka komentuar vazhdimisht situatën politike në vendin e tij gjatë UEFA Euro 2024, ndërsa Franca pritet të përballet me Spanjën në gjysmëfinalen në Mynih të martën.

“Është një situatë e zymtë. Nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të bjerë në duart e këtyre njerëzve”, tha 25-vjeçari.

“Shpresoj se rezultati do të ndryshojë dhe se njerëzit do të votojnë për partitë e duhura,” shtoi Mbappe.

“Tubimi Kombëtar” shpreson të fitojë një shumicë absolute në Dhomën e Ulët të parlamentit të Francës, Asamblenë Kombëtare, pasi kryesoi raundin e parë të zgjedhjeve javën e kaluar me 33%.

Një fitore e plotë mund të detyrojë presidentin francez Emmanuel Macron të emërojë si kryeministër Jordan Bardella të “Tubimit Kombëtar”

Macron thirri votimin e parakohshëm pasi “Tubimi Kombëtar” fitoi zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor. Kampi i tij qendror doli i treti në raundin e parë, pas Frontit të Ri Popullor të krahut të majtë.