I mbijetoi atentatit me armë zjarri, kryeministri sllovak Fico bën daljen e parë publike: Ishte një ngjarje fatkeqe

Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico ka bërë daljen e tij të parë publike që kur u qëllua 5 herë më 15 maj në një atentat me armë zjarri.

Ai foli në një event në Kështjellën Devin në Bratislavë për të shënuar Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit, një festë kombëtare në Sllovaki për të përkujtuar dy misionarët e krishterë.

Ai bëri vetëm një referencë për atentatin ndaj tij, duke iu referuar vetëm si një “ngjarje fatkeqe” dhe e përdori fjalimin e tij kryesisht për të folur për nevojën për të ndërtuar një barrierë kundër progresivizmit që ai tha se po përhapet “si një kancer”.

“Ato janë ideologji që po e dëmtojnë këtë vend. Janë ideologji që u krijuan ndoshta vetëm pardje. Unë nuk dua që Sllovakia të jetë një nga vendet që bëjnë një karikaturë të qytetërimit perëndimor. Ne jemi një komb krenar,” tha ai.

Ai gjithashtu e përdori fjalimin e tij për të paralajmëruar kundër luftës në Ukrainë që sipas tij mund të sjellë një konflikt më të gjerë rajonal.

“Nëse nuk bëjmë diçka në ditët dhe muajt e ardhshëm, situata që po zhvillohet në Ukrainë mund të dalë jashtë kontrollit dhe ne mund të shohim një luftë të pakontrolluar”, paralajmëroi Fico.