VIDEO/ Ishin rrëmbyer nga banda e rrezikshme dhe detyroheshin të punonin në minierë, policia ekuadoriane liron 49 pengje

Policia ekuadoriane ka liruar 49 persona të mbajtur peng nga një organizatë kriminale që i detyroi të punonin në një minierë, tha një burim zyrtar.

“Gjatë një operacioni kundër krimit të organizuar, policia arriti të shpëtojë 49 persona të cilët ishin rrëmbyer nga banda e rrezikshme Los Lobos në provincën e Azuay”, tha presidenca e vendit në Platformën X.

Karteli Los Lobos (“Ujqërit”) është një bandë e përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale në Ekuador.
Sipas Presidencës, janë sekuestruar edhe armë dhe lëndë plasëse.

Fotot nga operacioni i policisë, në një vend malor në Ande, tregojnë policë dhe ushtarë të armatosur që hyjnë në tunelet e minierave për të çliruar pengjet.

Koloneli Jose Vargas, kreu i policisë lokale, tha se duhej “të shmangnin një sulm të armatosur nga disa persona”.

Mes pengjeve të liruar janë një fëmijë dhe tre gra.

Mbetjet njerëzore u gjetën gjithashtu pranë minierës, në komunitetin e Camilo Ponce Enriques.