Serbia të ndëshkojë Radoiçiç! O’Brien: Beogradi të mbajë fjalën procesin gjyqësor për “Banjskën”
Serbia ka premtuar se Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist të Banjskës shtatorin e kaluar në Kosovë do të përballet me ligjin për ngjarjet, tha Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien.
Duke zbuluar këtë zotim të Beogradit, Zyrtari amerikan gjatë forumit të Dubrovnikut tha se pret që Serbia të mbajë premtimin.
“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator në Banjskë duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se Radoiçiç do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.
Serbia e akuzon Radoiçiçin për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator. Atij, autoritetet ia kanë ndaluar shkuarjen në Kosovë. Ndërsa autoritetet në Kosovë e vlerësojnë si akt agresioni sulmin në Banjskë dhe kanë fajësuar Serbinë se ka gisht në të. Beogradi ka mohuar përfshirjen.
Kryeministri, Albin Kurti, ka vendosur si një prej kushteve për angazhim në dialog me Serbinë, edhe dorëzimin e Radoiçiçit dhe grupit të tij tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Por Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia nuk është treguar e gatshme të pranojë këtë kusht, gjatë rundit të fundit të dialogut të mbajtur më 26 qershor.
Duke folur për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, O’Brien tha se në dy shtetet duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.
“Ne na duhet ta largojmë diskutimin për dhunën, dhunës shtetërore. Kjo do të na mundësonte që të përdorim mjetet që kemi në një mënyrë që ne mendojmë se do të ishte produktive”, tha O’Brien.
Gjatë forumit të Dubrovnikut, ku Kosova u përfaqësua nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u përmend edhe një deklaratë e bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç I cili ka bërë një krahasim me rimarrjen e kontrollit të rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut nga Azerbajxhani.
O’Brien tha se ky është interpretim i gabuar nga Vuçiç, pasi Aliyev, ka shprehur qëllimin që të marrë territore që janë ndërkombëtarisht të njohura si pjesë të Azerbajxhanit.
“Duhet të jemi të qartë: Jo lëvizje në Bosnje, jo lëvizje në veri të Kosovë”, tha O’Brien.
SHBA e ka bërë të qartë dhe ka paralajmëruar Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit kundër përdorimit të dhunës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Zyrtarët në Prishtinë, përfshirë presidenten, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, disa herë kanë thënë se Serbia ka ambicie territoriale karshi Kosovës.
