Polici u plagos me shigjetë në qafë, Daçiq jep detaje nga sulmi në Beograd: Po trajtohet si akt terrorist...

Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.

"Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër këtë rast", tha Daçiç për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë. Në njoftim u tha se pjesëtari i Xhandarmërisë M.J (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.

“Të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme po hetohen”, tha Daçiç.