Zhupa akuzon AKEP-in: Dy kompanitë celulare, në bashkërendim për çmimet, asnjë reagim as për vjedhjen e të dhënave të “ONE”

Sot në Kuvend ishte raportimi vjetor i AKEP, deputetja Ina Zhupa risolli në vëmendje hackerimin në kompaninë “ONE”, bashkërendimin e dy kompanive për ofertat, mos mbulimin me valë të gjithë territorit dhe çmimet me të shtrenjta për internetin në Europë.

“AKEP nuk po kryen funksionet e veta, së pari të dhënat që u hakeruan nga ONE, para, gjatë dhe më pas sistemi ka pasur probleme për klientët, edhe ju nuk keni bërë asnjë reagim dhe asnjë masë.

Ju në njoftimin publik i thoshit klientëve që mund ti drejtohen gjykatës ose ankesë te ju. Pse kishit nevojë për ankesë ju që të reagoni kur ishte një problem i njohur publik?!

Është e pamundur në Shqipëri të gjesh një qytetar të kënaqur nga shërbimet celulare dhe nga çmimet.

Kemi tarifat më të shtrenjta në Europë, kur vijnë emigrantët marrin ofertat e internetit pa karta, sepse çuditen nga çmimet tona.

Kompanitë bëjnë ofertat njëlloj dhe i ndryshojnë njëkohësisht që mos të kesh ku të shkosh dhe të zgjedhësh. Një situatë e qartë koordinimi në kurriz të klientëve.

Nga ana tjetër ju nuk merrni asnjë masë kur kompanitë nuk mbulojnë territorin me sinjal.

Në zonat e mia: Konispol, Finiq, kufiri jugor na vijnë mesazhe “Mirëserdhe në Greqi” dhe futet rrjeti Cosmote.

Kështu që kur sillni raporte këtu të jeni më serioz dhe të merrni masa duke u koordinuar edhe me Autoritetin e Konkurrencës”, u shpreh deputetja Ina Zhupa.