Izraeli i shqetësuar për armë: Progres domethënës për furnizimin me armë nga SHBA

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant deklaroi se është arritur progres domethënës për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve të Izraelit në lidhje me dërgesat amerikane të armatimeve për shtetin hebre.

“Pengesat janë eliminuar, janë trajtuar pikat delikate, për të përparuar me një seri çështjesh dhe në veçanti me përforcimin ushtarak dhe furnizimin me municione”, u shpreh ai pas takimit me këshilltarin amerikan të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Më herët gjatë javës Gallant është takuar edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Shtetet e Bashkuara janë vendi kryesor që furnizon me armë Izraelin, por në javët e fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ankua për ritmin e ngadaltë të dërgesave gjatë disa muajve të fundit.

Zyrtarët e Uashingtonit thanë se befasuan nga komentet kreut të qeverisë izraelite.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Sullivan rikonfirmoi angazhimin e presidentit Biden për t’u siguruar se Izraeli ka gjithçka që i duhet për t’u mbrojtur ushtarakisht dhe për t’u përballur me kundërshtarët e tij që mbështeten nga Irani”, Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Libanin jugor.

Megjithatë ata shprehën shqetësimin këtë javë se shkëmbimet e zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë kufirit me Libanin jugor mund të shndërrohen në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Dhe e kanë paralajmëruar Tel Avivin kundër lëvizjeve që mund të zgjerojnë konfliktin, Sekretari Austin kërkoi një zgjidhje diplomatike.

Lufta në Gaza nisi nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar ndaj Izraelit gjatë të cilit sipas zyrtarëve izraelitë u vranë 1200 persona dhe u morën peng 250 të tjerë.

Nga kundërofensiva e Tel Avivit në Gazë janë vrarë mbi 37 mijë e 600 palestinezë, kryesisht civilë, por ndër ta edhe mijëra luftëtarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të këtij territori të drejtuar nga Hamasi.