Begaj nga Deçani: Liria duhet të mbrohet me çdo kusht
Presidenti Bajram Begaj ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë ku sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
Ndërsa, komuna e Deçanit ka nderuar me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”.
Presidenti Bajram Begaj vlerësoi gjithë sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Ai shtoi se liria duhet të mbrohet me çdo kusht.
“Është kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjt për të vazhduar festimet tona për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët.
Prandaj, duhet ta mbrojmë me çdo kusht”, theksoi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke i uruar mirëseardhje presidentit Begaj, ka theksuar se në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan “pushojnë heronj të zotë, të cilat kontribuan për çlirimin e vendit”.
“Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, Shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën
Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zot, shqiptarë të zot, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë”, theksoi ai.
Pas kësaj vizite, Begaj është shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Deçanit./Kosovapress
