Putini në vizitë shtetërore në Vietnam
Presidenti rus Vladimir Putin theksoi rëndësinë e zgjerimit të partneritetit strategjik të vendit të tij me Vietnamin, në bisedimet me presidentin vietnamez, To Lam – në ditën e parë të vizitës së tij shtetërore në vendin e Azisë Juglindore.
“Udhëheqësi rus ftoi gjithashtu presidentin Lam të merrte pjesë në përkujtimoret në Moskë vitin e ardhshëm për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Putini mbërriti në Hanoi dje në mbrëmje pas një vizite në Korenë e Veriut.
Ai pritet të marrë pjesë sot në një banket shtetëror pas takimeve me Nguyen Phu Trong, sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste në pushtet të vendit dhe kryeministrin Pham Minh Chinh.
Duke qenë i izoluar në skenën ndërkombëtare, Putini po kërkon të sigurojë mbështetjen e aleatëve të mbetur të Rusisë.
Ekspertët sugjerojnë se turneu i tij i shkurtër në Vietnam dhe Korenë e Veriut është i një rëndësie praktike dhe simbolike.
“Udhëtimi i Putinit në Vietnam do ‘të ringjallë’ partneritetin gjithëpërfshirës strategjik mes dy vendeve – dhe do të forcojë marrëdhëniet ekonomike përmes tregtisë dhe angazhimet e investimeve duke miratuar një mekanizëm të këmbimit të monedhës në rubla për pagesat e mallrave dhe shërbimeve”, tha eksperti i Vietnamit Carl Thayer, profesor në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor, në Australi.
Një tjetër pikë në rendin e ditës mund të jetë lufta e Rusisë me Ukrainën.
Ambasadori ukrainas në Hanoi, Oleksandr Haman, tha se ai nuk pret që Vietnami të heqë dorë nga qëndrimi i tij neutral në konflikt.

