Vonesat në drejtësi edhe në Kosovë, 8 deri në 10 vite për të mbyllur një çështje civile
8 deri në 10 vite, i duhet një qytetari të presë nëse dëshiron që çështjet civile të zgjidhen nga gjyqësori në Kosovë.
Si i tillë, sipas avokatëve, qytetarëve po u mohohet e drejta për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme dhe shumë prej tyre vdesin pa e realizuar të drejtën e tyre, për shkak të kohëzgjatjes së procedurave.
Avokati Burim Halili, këto vonesa i sheh shqetësuese.
“Trajtimi i lendeve shkakton një vështirësi jashtëzakonisht të madh sa i përket kohëzgjatjes së lendeve sepse sidomos duke i pasur parasysh lëndët në fushën civile kanë një zgjatje jashtëzakonisht të madh, për dallim prej atyre në fushën penale të cilat kryejnë një kohë pak më të shpejtë por fatmirësisht kemi kohëve të fundit është rritur edhe numri i gjyqtareve dhe prokurorëve sidomos në lëmin penale, lëndët janë duke u kryer shumë më shpejt dhe janë duke u marrë shumë më pak kohë krahasuar me vitet e kaluara. Ndërsa sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me fushën civile edhe këtu është rritur numri i gjyqtarëve dhe janë duke kryer pak më shpejt por prapë kemi vonesa të cilat nuk u dashtë me i pas, duke pasur parasysh edhe dallimin mes gjykatave që kemi në qytetet e ndryshme, si Prishtina është e stërngarkuar me lëndë në fushën civile”
Kritika për këto vonesa ka edhe avokati tjetër, Yll Zekaj, i cili shprehet se në lëmit civile trajtimi i një rasti merr së paku 10 vite për të kaluar në dy nivele të gjykatës. Sipas tij, shkak i këtyre vonesave po bëhet edhe rikthimit I dosjeve në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit.
“Ka probleme të shumta qoftë ndonjëherë janë edhe për shkak të përformancës së gjyqtarëve po kemi problem edhe tek kthimi i shpeshtë i lendeve në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit ku një lëndë mund të kthehet dy apo tri herë në rigjykim, kjo pastaj merr një kohë të gjatë për tu arritur një epilog përfundimtar për një çështje për të cilën qytetarët i drejtohen sistemit të drejtësisë kjo pastaj ndikon drejtpërdrejt në shkeljen e të drejtave të njeriut, përkatësisht në trajtimin e rasteve të tyre në një kohë të arsyeshme”
Avokatë thonë se si pasojë e këtyre vonesave, çëshjet civile shpesh kthehen edhe në raste penale për shkak të tejkalimit të afatetve. Kjo pasi palët e përfshira në procedurë i kanë acaruar marrëdhëniet dhe kanë përfunduar në vetëgjygjësi.
