Dita e dytë e Samitit të Paqes në Zvicër, pritet miratimi i një deklarate ku dënohet pushtimi rus i Ukrainës

Udhëheqësit botërorë të mbledhur në Samitin për Paqen në Ukrainë, që po mbahet në Zvicër, pritet të miratojnë një deklaratë ku rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Kievit.

Më shumë se 90 vende dhe organizata marrin pjesë në samiti, i cili synon arritjet e mbështetjes më të madhe të mundshme për një proces, që mund të ndihmojë drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë. Rusia nuk është ftuar, ndërsa aleatja e saj Kina nuk është  e pranishme, çka i ka dhënë shtysë dyshimeve mbi efektshmërinë e samitit.

Por vendet që marrin pjesë, përfshi edhe ata që nuk janë mbështetës të afërt të Kievit, shpresojnë të arrijnë dakordësi mbi çështje si siguria bërthamore dhe eksportet e mallrave ushqimore. Mes këtyre të fundit edhe Arabia Saudite, ministri i jashtëm i së cilës ka paralajmëruar se Ukrainës do t’i duhet të bëjë kompromise të vështira, si dhe Kenia, e cila është shprehur kundër sanksioneve më të fundit ndaj Rusisë.

 Megjithatë, të gjitha delegacionet pritet të mbështesin një deklaratë përfundimtare ku dënohet pushtimi rus i Ukrainës. Sipas agjencisë së lajmeve Rojters, draft-deklarata bën thirrje që Ukrainës t’i rikthehet kontrolli i centralit bërthamor të Zaporizhjas dhe të porteve në detin Azov, të cilat janë të pushtuara nga Rusia. Pushtimit rus, dokumenti i referohet me fjalën luftë, çka është hedhur poshtë nga Moska e cila atij i referohet me termin operacion special ushtarak. Në samit po diskutohen edhe çështje humanitare si kthimi i të burgosurve dhe fëmijëve ukrainas të rrëmbyer.  

Samitin e Zvicrës, Rusia e ka cilësuar si harxhim koh,e dhe të premten presidenti rus Vladimir Putin tha se do të dakordsohej me një armëpushim, nëse Ukraina tërhiqte trupat nga katër krahinat të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar, çka u kundërshtua fuqishëm nga udhëheqësit perëndimor në samit.