FOTO + VIDEO/ Protestuesit me molotovë dhe goma të djegura, policia me ujë e gaz-lotsjellës. Mbyllet protesta e 12-të te Bashkia

Protesta e 12-të përpara Bashkisë së Tiranës solli kaos që prej minutave të para ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë. Me thirrjet kundër kryebashkiakut opozita paralajmëroi se do të përshkallëzojnë qëndrimin

Rikthimi i molotovëve, djegia e gomave dhe përplasjet me policinë nuk munguan as në protestën e radhës të opozitës përpara Bashkisë së Tiranës.

Protestuesit nuk pritën asnjë minutë, ndryshe nga javët e kaluara, manovra e parë që kryen ishte largimi i kangjellave metalike të vendosura para gardhit të policisë.

Vijuan me breshëri të molotovëve dhe fishekzjarreve.

Ashtu siç tashmë është kthyer në traditë në tubimet e të djathtëve përpara bashkisë së kryeqytetit, nuk munguan as vezët.

Gara për të ndezur në flakë gomat e vendosura para bashkisë dhe për t’i shuar atë vijoi sërish mes policisë dhe policisë.

Nuk munguan as përplasjet me deputetët demokratë e mbështetës të tyre.

Për të shpërndarë tubuesit, policia përdori sërish gaz lotsjellës.

Kjo nuk i ndaloi eksponentë të PD që të bënin thirrje kundër kryebashkiakut të Tiranës.

Në fjalën e mbajtur gjatë protestës, drejtuesi politik i PD-së për degën e Tiranës, Belind Këlliçi u shpreh se kushdo që ka prekur taksat e qytetarëve të Tiranës, që ka grabitur qytetarët do të përballet me drejtësinë dhe do të shkojë atje ku e meriton.

“Demokratë mos u mërzisni, me betejën tuaj, me qëndresën tuaj, ia dolëm të shembim planin e Edi Ramës që donte të linte vendin pa opozitë”, tha Këlliçi.

Këlliçi tha se “Bashkia e Tiranës është një çerdhe korrupsioni, ndërsa i drejtoi një thirrje Policisë së Tiranës që të arrestojë hajdutët që ndodhen në Bashki dhe mos guxojë të prekë qytetarët”.

Dorian Teliti, nënkryetari demokrat i këshillit bashkiak të Tiranës tha se qytetarët do e fitojnë betejën e tyre, pasi kjo është e drejta e tyre.

“Jemi këtu kundër abuzimit, kundër vjedhjeve. Ju që merrni urdhra të paligjshëm mos i zbatoni ato, mos u bëni shkelës të ligjit, mos u bëni bashkëfajtorë”, tha Teliti.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, njëkohësisht anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës u shpreh se “zjarri i revoltës qytetare nuk fiket”.

“Erion Veliajt i ka ardhur dita të japë llogari. Ai nuk mund të mbrohet dot nga banditë me uniforma Policie”, tha ai

Paralajmëruan se protestat e tjera do të përshkallëzohen.

E GJITHE PROTESTA E OPOZITES TE BASHKIA