Bashës “i ikën” edhe një tjetër deputet: Do të mbetem deputete e Partisë Demokratike

Bashës i ikën edhe një deputete nga pala e tij. Pas deputetit Kreshnik Collaku që deklaroi se është dhe do të jetë deputet i PD-së, një gjë të tillë edhe ka bërë edhe një tjetër deputete.

Eralda Tase Bano shkruan në Facebook se vendimi i saj është thjeshtë politik dhe lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike.

Tase Bano: Të dashur qytetarë, Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.

Demokratë të nderuar, Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite! Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve, simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.

Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve. Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.