Manastirliu: Drejt përfundimit faza e parë, u trajnuan mbi katër mijë mësues

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit janë trajnuar 1311 mësues të arsimit fillor në kuadër të Programit Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në këtë universitet për të ndjekur ecurinë e trajnimeve të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

Universiteti i Durrësit ka angazhuar 24 pedagogë dhe ka trajnuar deri tani 102 grupe, duke përfshirë 1311 mësues të Arsimit Fillor, Gjuhës Shqipe, Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë si dhe të Teknologjisë dhe Informacionit të shkollave të Durrësit, Krujës, Rrogozhinës, Peqinit, Kavajës dhe Shijakut.

Manastirliu tha se “në Universitetin e Durrësit, Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve ka vijuar me trajnime gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të rifillojmë duke nisur nga viti i ri shkollor, ku cikli i dytë i trajnimeve do të jetë sërish i fokusuar në këtë grup mësuesish me tema dhe module të tjera trajnimi për të vlerësuar aftësitë e mësuesve dhe kompetencave të tyre në kuadër të metodave më efektive të mësimdhënies”.

Duke folur për përfshirjen e universiteteve në këtë program kombëtar, Manastirliu tha se “deri më tani ne kemi trajnuar mbi 4 mijë mësues në këto disiplina. Kemi përfshirë 130 pedagogë të universiteteve të ndryshme qoftë të Tiranës, qoftë të Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Durrësit, të Vlorës, pra jemi në të gjithë vendin dhe kemi vlerësuar që trajnimet të realizohen në universitete, duke qenë se kemi të gjithë infrastrukturën e përshtatshme, por aty ku ka largësi, kemi vlerësuar që mësuesit të jenë në shkollat e tyre dhe të jenë trajnerët ata që të jenë në dispozicion të mësuesve”.

Një mësuese matematike u shpreh se “trajnimi është i nevojshëm për mësuesit, ngaqë ne po rrethohemi me digjitalizimin e çdo gjëje. Edhe ne mësuesit e matematikës duhet të përshtatemi me këtë digjitalizim”.

“Ky trajnim mëson mësuesit si t’ia bëjnë matematikën më të kuptueshme”, tha një tjetër mësues matematike.

Faza e parë e trajnimeve në Universitetin e Durrësit dhe në disa universitete të tjera sapo ka përfunduar, teksa vijojnë trajnimet në Universitetin e Tiranës deri në fund të muajit qershor.