Kabineti i Endoskopisë rrezikon jetën e pacientëve në QSUT. Alma Cani hesht

Endoskopia është një procedurë mjekësore që kryhet për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme, si: ulçërën e stomakut, refluksin, kancerin e stomakut dhe atë të ezofagut.

Mjekët përdorin imazhet e përcjella falë kamerës për të marrë pamje të qartë të gjendjes së pacientit.

Por situata në spitalin e ri në QSUNT është tejet alarmante, pasi, sipas KLSH-së, “Kabineti i Endoskopisë” nuk është i certifikuar dhe kjo pajisje rrezikon jetën e pacientëve.

Sipas auditit, pjesët përbërëse të pajisjes kanë ardhur në Shqipëri në data dhe vite të ndryshme nga operatorë të ndryshëm, çka tregon se pajisja është proçesuar në Shqipëri.

Më skandaloz është fakti që mbledhjen ose Asamblimin e ka kryer një shoqëri që nuk ka tagër ligjor për ta bërë, ndërkohë që pajisjet janë të pashoqëruara me çertifikatën e origjinës dhe test-raportin e fabrikës.

Sipas KLSH-së, ky kabinet është risk i lartë për jetën e pacientëve.

Çfarë garancie mund të ketë një pacient që kryen endoskopinë për t’u diagnostikuar për sëmundjen, kur  pajisjet te ky kabinet nuk kanë minimumi çertifikatë origjine, për më tepër që janë montuar nga kompani që nuk kanë tagër ligjor për ta kryer këtë proces?

KLSH është shprehur se shoqëria që ka fituar tenderin duhet të kthejë deri ne 31 mars 2024 shumën 17.184.000 lekë, pasi e ka përfituar padrejtësisht, duke mos llogaritur këtu riskun në jetën e pacientëve.

Televizioni “Ora News” iu drejtua më një kërkesë për informacion QSUNT-së, për të na bërë me dije nëse është bërë kthimi i vlerës së lekëve nga kompania?

Drejtoresha e QSUT-së, Alma Cani, na ka bërë me dije që jo vetëm nuk e ka marrë asnjë rrugë ligjore për kthimin e kësaj shume, por është shprehur se pajisja funksionon konform të gjitha rregullave teknike.

Një pyetje publike kemi për zonjën Cani: Si mundet që një kabinet  endoskopie, i cili nuk ka minimalisht pajisjet me certifikatë origjine dhe test-raportet e fabrikës të jetë konform rregullave teknike?

Dëmi që ju shkaktua buxhetit të shtetit është 17.184.000 lekë, ndërsa rreziku më i lartë shkon tek pacientët.