Shqiptarët “spiunojnë” te Serbia, Shala: Aktiviteti i BIA-s ka shkaktuar një “tërmet 8.5 ballësh” në Kosovë. Ja plani ogurzi i tyre!
“Spiunët” shqiptarë të BIA-s serbe të arrestuar dy ditë më parë në Ferizaj dy ditë kanë ndezur në Kosovë debatin se a kanë pasur ata ndonjë pozitë të fortë në administratën shtetërore, në mënyrë që të kuptohet dhe lloji dhe rëndësia e informacionit që ata mund të kenë dërguar tek agjencia serbe BIA në dëm të shtetit të Kosovës.
Për të kuptuar më shumë nga kjo situatë me agjentë të infiltruar të Beoigradit në Kosovë, në studion e lajmeve në “Ora News” i ftuar ishte eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Për të kuptuar në detaje situatën, Shala bëri dhe një përmbledhje të të gjithë asaj çfarë ka ndodhur deri në zbulimin e tyre.
“Para 8 muajsh është zhvilluar e gjithë ngjarja, ku janë identifikuar dy të dyshuar si pjesë e grupit të spiunazhit serb në territorin e Kosovës, ku gjatë observimit të komunikimit që kanë pasur dy të dyshuarit me agjentë të BIA-s përmes takimeve fizike, por edhe nëpërmjet komunikimit, institucionet e Kosovës kanë identifikuar dhe konkretizuar në detaje informacionet sa i përket një plan ogurzi, një plan i cili kishte 4 pika themelore.
Pika e parë ishte vrasja e ambasadorit Ualker, i cili është protagonisti kryesor i identifikimit të msakrës së Reçakut dhe si rezultat i punës së tij në vitin 1999 bëri të mundur dhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në Kosovë.
Së dyti, ishte dhe sajimi i një shtëpie të verdhë për transplantim të organeve në spitalin ushtarak afër fshatit të Reçakut.
Pika e tretë ishte padyshim edhe e paraqitjes së masakrës së Reçakut si një veprim i ndërmarrë nga vetë UÇK-ja dhe jo nga forcat ushtarake serbe.
Dhe pika e katërt e këtij plani ishte dhe veprimet e ndërmarra nga dy të apostrofuarit në drejtim të vrasjeve në komunitetin serb, në mënyrë që t’ia lënë fajin e tyre shqiptarëve,. Pra për të nxitur një konflikt ndëretnik.
Prezenca e tyre në rrjetin e spiunazhit të BIA-s dhe infiltrimit të shqiptarëve në të, ka ngritur një tërmet të vërtetë këtu që mund të matet me 8.5 ballë”, theksoi Drizan Shala, ekspert sigurie në Kosovë


