“Maqedoni”, jo “e Veriut”, si projekt politik i shumicës së re? Nebiu: 5 ministri i marrin shqiptarët! BDI duhet të mësohet në opozitë
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” analisti Besim Nebiu, i bëri një skanim situatës së re politike të krijuar në Maqedoninë e Veriut, pas rikthimit në pushtet të VMRO – DPMNE të kryesuar nga Hristijan Mickoski.
“Sa i përket aleatëve të partive shqiptare mendohet se do të kenë 5 ministri dhe 6 vende në qeverinë e re.
Sa i përket BDI-së ajo gjendet praa sfidave të reja. Së pari ajo duhet parë se si do të sillet, pasi ajo nuk është mësuar të jetë ndonjëherë në opozitë, pasi që nga krijimi i saj ajo ka qëndruar në opozitë gjithsej vetëm dy vite nga 22 vite të ekzistencës së saj politike”, theksoi Nebiu
Besim Nebiu komentoi gjithashtu dhe rikthimin e tensioneve mes Shkupit dhe Athinës lidhur me përdorimin e termit “Maqedoni” për vendin e tyre si nga Presidentja e re, Gordana Silanovska-Davkova ashtu edhe nga vetë kreu i mazhorancës Mickoski dhe jo “Maqedoni e Veriut”, që është parë dhe si një prishje e njëanshme nga krerët e rinj të shtetit maqedonas të Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
ZGJERIMI I KABINETIT QEVERITAR
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti sot seancën e dytë parlamentare, ku në rend dite është edhe Ligji për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.
Ligji është propozuar nga VMRO – DPMNE dhe parashikon rritjen e numrit të ministrive nga 16 që janë aktualisht në 20 të tilla.
I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski gjatë arsyetimit të këtij propozimi, tha se esenca e këtij ligji është zbatimi i reformave në administratë dhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve me politika efikase.
“Në këtë mënyrë, pas disa dekadave vjen riorganizimi i ministrive në kudër të qeverisë, ku një pjesë e ministrive do të jenë të reja, ndërsa agjencitë që kanë qenë deri më tani do të shfuqizohen, një pjesë e ministrive do të rigrupohen, përkatësisht do të transferohen kompetencat nga një ministri në tjetrën, me qëllim që të zbatohen reformat që synon qeveria e re”, tha Hristijan Mickoski.


