Ministrat izraelitë kërcënojnë të japin dorëheqjen për shkak të planit të armëpushimit
Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar se do të heqin dorë dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu bie dakord me propozimin e armëpushimit në Gazë, të propozuar të premten nga presidenti amerikan Joe Biden, sipas BBC.
Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir thanë se ishin kundër arritjes së një marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej.
Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin.
Vetë kryeministri Netanyahu ka këmbëngulur se nuk do të kishte armëpushim të përhershëm derisa të shkatërroheshin pajisjet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të liroheshin të gjithë pengjet.
Por, një nga këshilltarët e Netanyahut tha se Izraeli nuk po e refuzon planin, edhe nëse ata nuk e konsiderojnë atë një “marrëveshje të mirë”.
Propozimi i Biden parashikon një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të tërhiqen nga zonat e populluara të Gazës.
Marrëveshja, përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve, një “ndërprerje të përhershme të armiqësive” dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.
“I thashë Netanyahut se nuk do të jem pjesë e një qeverie që pajtohet me skicën e propozuar dhe që i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjithë pengjet”, tha dje Smotrich në një postim në media sociale.
Duke i bërë jehonë fjalëve të tij, Ben-Gvir tha se marrëveshja nënkuptonte fundin e luftës dhe braktisjen e qëllimit për të shkatërruar Hamasin.
“Kjo është një marrëveshje e nxituar, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraelit”, tha ai.
Ai u zotua të “shpërndajë qeverinë” në vend që të pajtohet me propozimin.
Koalicioni i krahut të djathtë të Netanyahut ka një shumicë të vogël në parlament, duke u mbështetur në një mori fraksionesh, duke përfshirë partinë Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike) e Ben-Gvir – e cila mban gjashtë vende – dhe partinë e Zionizmit Fetar të Smotrich – e cila mban shtatë vende – për të ruajtur pushtetin.
Por Yair Lapid, një nga politikanët më me ndikim të opozitës izraelite, i ka ofruar mbështetjen e tij kryeministrit në konflikt. Partia e tij Yesh Atid (Ka një të ardhme) ka 24 vende.
“Kryeministri ka mbështetjen tonë për marrëveshjen e pengjeve nëse Ben-Gvir dhe Smotrich largohen nga qeveria”, tha Lapid.
Përpara ndërhyrjes së partnerëve të qeverisë së Netanyahu, një këshilltar i lartë i politikës së jashtme tha se shumë detaje të planit duheshin përpunuar dhe se nuk do të kishte nje armëpushim të përhershëm derisa të përmbusheshin të gjitha objektivat.
“Plani i presidentit amerikan, Biden është një marrëveshje për të cilën ramë dakord – nuk është një marrëveshje e mirë, por ne duam shumë që pengjet të lirohen, të gjithë”, tha Ophir Falk në një intervistë për gazetën “Sunday Times”.
Mosmarrëveshja erdhi pasi dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të pranojë planin e propozuar të Biden.



