Përkujtohet në ditën e lindjes frati dhe martiri Gjon Pantalia

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot fratin dhe martirin Gjon Pantalia (2 qershor 1887-31 tetor 1947).

Gjon Pantalia lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje të thjeshtë. Fëmijërinë e rininë e parë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, kur sapo i kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve.

U bë njeri-kyç i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, prej nga ku dolën meshtarë, avokatë, politikanë e mësues të ardhshëm. Gjon Pantalia kishte një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror.

Ishte mësues në shkollën fillore, ekonomist, drejtor i korit, i bandës dhe regjizor teatri i shtypshkronjës, administrator i revistave “Lajmëtari” e “LEKA” dhe drejtues artistik.

U përpoq, ndonëse tepër i mbikëqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avokatë që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të tmerrshëm komunist, i cili që nga viti 1945 vuri në shënjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët.

Për të shmangur reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën, e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj: provuan mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famëkeq i shtetit diktatorial.

Pastaj e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej për këtë, sepse ishte i shkatërruar fizikisht nga torturat.

Ditët e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir më 31 tetor 1947.

Në 5 nëntor 2016 do të shpallej “i lumë” në qytetin e Shkodrës.