Izraeli propozon armëpushim, Biden: 6 javë negociata për t’i dhënë fund luftës

Izraeli i ka ofruar Hamasit një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse për armëpushim, ka bërë me dije presidenti amerikan Joe Biden.

Ajo  përfshin kthimin e pengjeve izraelitë nga Gaza dhe rindërtimin e zonave civile.

Presidenti Biden u bëri thirrje udhëheqësve të të dyja palëve që të "mos e humbin këtë moment".

Faza e parë e marrëveshjes së propozuar do të ishte një armëpushim që zgjat gjashtë javë, gjatë së cilës Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë një përfundim të përhershëm të luftimeve në Gaza, tha Biden.

Nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë për aq kohë sa duhet për të arritur një marrëveshje, shtoi ai.

Faza e dytë do të përfshinte dorëzimin e Hamasit të të gjithë pengjeve të mbetura dhe Izraelin duke tërhequr të gjitha forcat e tij nga Gaza.

Faza përfundimtare do të ishte rreth një "plani të madh rindërtimi", ka deklaruar presidenti amerikan.

Ndërkohë Ushtria izraelite ka konfirmuar të premten se forcat e saj janë duke vepruar në pjesët qendrore të Rafahut, në përpjekje për ta zgjeruar ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Rripit të Gazës.

Izraeli e nisi ofensivën tokësore në këtë qytet më 6 maj, duke i detyruar rreth 1 milion palestinezë të ikin nga qyteti për të kërkuar strehim në zona të tjera.

Në njoftimin e së premtes, ushtria tha se trupat e saj në qendër të Rafahut kanë gjetur raketahedhës dhe tunele, si dhe e kanë shkatërruar një depo armësh të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.