LISTA e "EURO2024"/ Zeko: Sapo Silvinjo u bë shqiptar, filluan edhe veprimet e tij... shqiptare

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, publikoi të hënën listën e kuqezinjve për Euro 2024, ku ka grumbulluar 27 lojtarë.

Në listë mungojnë emra si sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni, Kejdi Bare apo edhe Muja e Muçolli, çka ka sjellë komente, pakënaqësi e kritika në opinionin publik.

Në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv, për të folur në lidhje me zgjedhjet e Silvinjos ishte gazetarja sportive dhe drejtuesja e “Fair Play”, Enkeleida Zeko.    

“Sapo Silvinjo u bë shqiptar, filluan edhe veprimet e tij shqiptare”, e nis analizën e saj gazetarja e njohur, teksa më tej vijon: “Ne kemi të drejtë të japim komentet tona dhe të bëjmë vërejtjet tona për listën, ku janë lënë jashtë dy lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares, në mënyrë të veçantë Sokol Cikalleshi, dhe Myrto Uzuni.

Mund të ishte parë me më tepër përparësi prezenca e Cikalleshit dhe Uuzunit.

Mund të ishte gjendur vendi, të ishte lënë jashtë ndonjë lojtar tjetër. Trajneri mund të ketë strategji për Europianin ku kërkon të ketë më tepër lojtarë në pozicionet mbrojtëse dhe në mesfushë, por mund të gjendej vendi për Cikalleshin dhe Uuzunin, duke lënë jashtë ndonjë lojtar që është i ri.

Ndaj them që trajneri Silvinjo mund ta kishte parë ndryshe. Fakti që ai nuk dha asnjë shpjegim për mungesën e Cikalleshit dhe Uuzunit nuk më pëlqen.

I detyrohet shpjegim të gjithë atyre që e duan kombëtaren.

E duam ne kombëtaren më shumë se Silvinjo. Sado shqiptar të bëhet Silvinjo apo dikush tjetër, e duam ne më shumë kombëtaren që e kemi ndjekur në kohë të mira dhe të vështira”.