Rritja e remitancave, Muço: Varfëria dhe shtrenjtimi i kostos së jetesës i detyron emigrantët të sjellin më shumë para këtu
Eksperti i ekonomisë Klodian Muço në një intervistë për “Ora Neës” analizoi rritjen e remitancave në vend.
“Faktorët janë disa, por unë do të rendisja dy prej tyre. E para është se kemi një valë të re emigrantësh, të cilët të ardhurat e tyre i sjellin në Shqipëri. Një faktor tjetër është liberalizimi i emigracionit siç është Gjermania.
Aspekti tjetër është varfëria në Shqipëri, gjë që i bën familjet që të kërkojnë ndihmë financiare nga jashtë.
Faktor tjetër është dhe zhvelrësimi i monedhave të huaja, të cilat në të kaluarën një emigrant nëse dërgonte 100 euro që dikur shkëmbehej me 140 mijë lekë të vjetra, ndërsa tani ato janë diku tek 100 mijë lekë, gjë që i bën emigrantët që të sjellin në Shqipëri më shumë euro. Dhe kjo është shoqëruar edhe me rritje të ndjeshme të çmimeve dhe rritje të kostove të jetesës.
Problemi më i madh i vendit është se shqiptarët po ikin sepse Shqipëria nuk është vendi më i mirë për të rritur fëmijët këtu. Kemi sistemin arsimor gjithnjë e në rënie, dhe kjo konfirmohet nga raportet e PISA-s.
Po ashtu kemi një sistem shëndetësor tejet problematik dhe kjo u vu re edhe gjatë pandemisë. Siguria ushqimore po ashtu është problematike”, theksoi ndër të tjera eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

