“VELIAJ NË BURG!” - Sot, protesta e radhës para bashkisë, policia “blindon” qendrën, thirrje organizatorëve: Kujdes!

Sot, të martën, në orën 11:00,  qytetarët do të zhvillojnë protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës,drejtues të lartë të cilës tashmë janë të arrestuar nga SPAK për korrupsion.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që është nismëtare e këtyre protestave të përjavshme, është mbështetur nga Partia Demokratike që i ka denoncuar pa u ndaluar aferat korruptive si dhe në tërësi nga forcat opozitare.

Deputetja e PD, Ina Zhupa, e ka lëshuar të qartë mesazhin e saj për protestën:

“Protesta e radhës para selisë “5D" - bashkisë Tiranë. Veliaj në burg!”, thekson Zhupa.

“VELIAJ NË BURG!” - Sot, protesta e radhës para

Tashmë 5D është bërë simboli i pesëshesës së drejtorëve të skemës së korrupsionit të ngritur në këtë bashki, të cilët janë vënë pranga.

MASAT E POLICISË

Ndërkaq përmes një njoftimi për mediat Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit", ditën e sotme, më datë 28 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

“Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t'u distancuar nga çdo akt dhune.