Shehu: Në regjime nuk ka drejtësi të pavarur, Berisha i burgosur politik
Deputeti demokrat Tritan Shehu tha se në regjime nuk ka drejtësi të pavarur.
“Grusht të vërtetë shteti kundër demokracisë është ajo që po ndodh me Sali Berishën”, u shpreh Tritan Shehu, në fjalën e mbajtur në Kuvend, gjatë seancës ku pritet të votohet projekt-rezoluta e PS-së për luftën ndaj korrupsionit.
Ai tha se Berisha është një i burgosur politik, ndërsa Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s që mban të burgosur liderin e opozitës.
Shehu theksoi se Shqipëria është larg BE-së sepse regjimi i Edi Ramës ka shkelur të drejtat universale, janë shkelur të drejtat e njeriut, po mbahet në burg lideri i opozitës, pa asnjë provë e fakt.
“Sali Berisha po mbahet i burgosur, njëlloj sikundër Putini në Rusi burgos kundërshtarët e tij politikë”, tha Shehu, duke bërë një paralelizëm ndaj rastit të ish-Kryeministrit në Shqipëri dhe Navalny, liderit të opozitës ruse, që humbi jetën në rrethana misterioze në burgun ku mbahej i burgosur.
Shehu tha se në regjime nuk mund të pretendohet se ka drejtësi, duke e cilësuar këtë si një shkak madhor pse Shqipëria është larguar edhe më shumë nga Bashkimi Europian, ku kërkon të integrohet.
