“Zarbot” e vettingut, nuk tregojnë sponsorin e piknikut 2 ditor te resorti i Besnikut të kartelit “El Chapo”

Më 30 shtator 2021, stafi i Komisionit të Shkallës së Parë të Vetting-ut, i drejtuar nga Pamela Qirko (Balluku), shkoi te resorti luksoz “Marina Bay” buzë detit në Vlorë, ngjitur me vilën qeveritare, gjoja për të bërë bilancin e punës 4-vjeçare.

Kjo e quajtur mbledhje te resorti në Vlorë, së pari, nuk është regjistruar në protokollin e institucionit; së dyti, nuk është raportuar në Komisionin Ad-Hoc të Kuvendit prej nga varet; së treti, analizat e punës janë të kushtëzuara çdo muaj mars brenda institucionit, dhe çdo muaj prill raportohen e diskutohen në parlament.

Mos leximi i asnjë raporti gjatë qëndrimit në resortin e Vlorës; mos ekzistenca e asnjë raporti te protokolli i KPK për datat 30 shtator e 1 tetor 2021; data e zhvillimit dhe urimi: “Suksese, lartë e më lartë”, që i drejtohej vetëm kryetares Pamela Qirko (Balluku), krijojnë bindjen se ishte piknik kushtuar 1-vjetorit të emërimit të saj në detyrë.

Për këtë aheng te resorti luksoz “Marina Bay” në Vlorë, institucioni i vettingut, deklaroi se nuk ka harxhuar asnjë qindarkë nga fondet publike, por sipas kryetares Pamela Qirko (Balluku), 2 ditët e qëndrimit të stafit te resorti, janë paguar nga një biznesmen dashamirës i drejtësisë së re.

Ta quajmë, se mbledhja është bërë vërtetë e shpenzimet janë paguar nga një biznesmen; por skandali që duhej të vinte në lëvizje Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe SPAK-un; është fakti, se institucioni i vettingut në drejtësi, zhvilloi aktivitetin zyrtar te një resort në pronësi të anëtarit të kartelit mafioz meksikan “El Chapo”.

Resorti “Marina Bay” në Vlorë, është në pronësi të mafiozit Besnik Lulaj, ortak në 5 biznese e 2 kazino në Shqipëri, por dhe në Meksikë, Itali, Kanada, Maltë e Poloni, me Luftar Hysën, një nga eksponentët e kupolës së grupit El Chapo.

Nuk e dimë, nëse anëtarët e komisionit të vettingut, kanë hedhur zara te kazinoja brenda resortit, por zhvillimi i një aktiviteti, apo qoftë edhe një dreke private te qendra e kartelit El Chapo në Shqipëri, është bashkëpunim e kontakt penal, që ndëshkohet me shkarkim të tyre nga detyra dhe përjashtim për 15 vite nga sistemi i drejtësisë e administrata publike.

Sepse gjatë 6 viteve e gjysmë vetting, këta kanë përjashtuar nga drejtësia 135 prokurorë e gjyqtarë, që u është vërtetuar se kanë patur përfitime, udhëtime e kontakte rastësore me persona me procedentë penalë.

Komisionerët e vettingut, shkuan nga Tirana te resorti “Marina Bay”-Vlorë i anëtarit të kartelit mafioz El Chapo, ku u harbuan 2 ditë; ndërsa SPAK, në atë kohë i drejtuar nga Arben Kraja dhe prej 18 muajsh nga Altin Dumani, nuk po fillon hetimin ndaj tyre.

“Pamfleti” ka indicie, se shpenzimet për 2 ditët e ahengut të stafit të vettingut në Vlorë, i ka paguar pronari i resortit, Besnik Lulaj; prandaj SPAK, duhet të  hetojë, se me cilët prokurorë e gjyqtarë që kanë kaluar vetingun para e pas muajit shtator 2021, ka patur lidhje ky anëtar i grupit El Chapo dhe familjarë, ortakë e miq të tij.

Gjersa kryetarja Pamela Qirko (Balluku) dhe komisionerët e vettingut, nuk po zbatojnë as vendimin e Gjykatës së Lartë, për të bërë publik personin që financoi banketin, kjo duhet të vërë në lëvizjë SPAK-un, për të hetuar se cili person ka paguar shpenzimet e KPK, te resorti “Marina Bay”-Vlorë në datat 30 shtator e 1 tetor 2021.

/Marrë nga “Pamfleti