Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, të hënën në “Shtëpinë e Futbollit”

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit, do të zhvillojë punimet të hënën e 27 majit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi në mbledhjen e fundit materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së. Çdo gjë është gati për punimet që do të mbahen gjatë së hënës.

Në të do të marrin pjesë të gjithë delegatët dhe anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Të cilët janë njohur ndërkohë me materialet dhe çështjet që do të shqyrtohen në këtë mbledhje.

Në Asamble do të diskutohet raporti i aktivitetit të FSHF-së për vitin 2023, që përmban aktivitetet që nga Asambleja e Përgjithshme e mëparshme.

Gjithashtu do të prezantohet bilanci i konsoliduar dhe pasqyrat e fitimit dhe humbjes.

Si edhe raporti i auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, e miratimi i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2023.

Në Asamble do të shqyrtohet edhe buxheti për vitin financiar 2024.

Si dhe do të emërohen audituesit e pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv, për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2024.

Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë legjislativ i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në bazë të statutit të miratuar nga anëtarët, Asambleja e Zakonshme thirret për zhvillimin e punimeve një herë në vit.