Për 1 mln lekë i sekuestruan 22 Ha, përmbarimorët bllokonin prona 500 herë më shumë se kredia

Në dosjen e prokurorisë së Tiranës pasqyrohen abuzimet me detyrimin për të shlyer kredinë e marrë. Madje edhe kur kësti i mbetur ka qenë minimal, janë vendosur në sekuestro dhjetëra pasuri që e kalonin 500 herë shumën e mbetur.

Një nga rastet sipas akuzës është kur familjes Lika i kishin mbetur për të shlyer 347 958 lekë. Por zyra përmbarimore Star i ka bllokuar 14 prona, sipërfaqe toke, me një total prej 12 mijë e 80 m2.

Po ashtu në një tjetër rast, shuma e mbetur për tu shlyer nga familja Kodra është vetëm 30 767 lekë, por shërbimi përmbarimor FS ka sekuestruar 9 pasuri me sipërfaqe totale 10162 m2 çka konsiderohet jashtë çdo logjike dhe përcaktimi ligjor.

Ndërkaq familja Çoku duhej të paguante edhe 68 922 lekë por shërbimi përmbarimor Star i vendos sekuestro mbi disa parcela toke me sipërfaqe 10 mijë m2.

Një nga rastet kur shuma e pashlyer mund të konsiderohet e lartë është e familjes Koçiu me detyrimin 1 milionë lekë. Por sipërfaqja e sekuestruar shkon në 216 mijë metër katror ose 22 hektarë, pra 500 herë më shumë se detyrimi i mbetur

Në dokumentin e akuzës së Tiranës shtohet edhe rasti kur përmbarimi I ka dorëzuar dokumentet në ministrinë e drejtësisë me thasë, por pa inventarizuar. Ndërsa denoncimi është bërë nga ish ministrja e asaj kohe në prokurori.