PO NDODH/ Dumani te “Ligjet”: Në 2023-n janë sekuestruar 41 mln euro pasuri të krimit dhe janë dënuar 269 persona

Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaccme Altin Dumani ka zbarkuar mëngjesin e kësaj të mërkure në Komisionin e Ligjeve, ku ka prezantuar raportin vjetor të punës së bërë nga SPAK gjatë vitit 2023.

Ai bëri një tablo të punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa risolli në vëmendje shifrat e kërkesave për gjykim, apo arrestimet me kërkesë të SPAK.

“SPAK si ekip ka treguar se ka një përmirësim të punës krahasuar si një vit më parë. Në këto shifra gjendet puna, mundi dhe profesionalizmi i 18 prokurorëve dhe stafit tjetër.

E gjithë trupa e SPAK ka hetuar 820 materiale, për të cilat 113 materiale nuk është vendosur nisja e hetimit.

Në gjykatë janë dërguar 53 kërkesa për gjykim, 38 kërkesa me natyrë korruptive. Janë sekuestruar pasuri me vlerë 41 milionë euro. Ne jemi prokurorë dhe jo vizitorë, ne mbledhim prova dhe nuk akuzojmë pa to.

Shifrat janë kokëforte në lidhje me politikat penale. Mesa arrest me burg zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie. Totali i burgosjes me urdhër të SPAK është 8.5%.

Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere. Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK.”, tha ai.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani thotë se pastrimi i parave mbetet një shqetësim.

Gjatë raportimit para deputetëve për rezultatet e arritura nga SPAK në vitin 2023, Dumani u shpreh se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta.

Dumani shtoi se grupet kriminale menaxhojnë call center-a duke u shkaktuar njerëzve një dëm prej miliona eurosh.

“Hetimet e vitit 2023, tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur. Këta grupe kriminale kanë aktivitet kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, por edhe në rajon.

Duhet cilësuar si shqetësim veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale, duke vepruar me call center. Aktiviteti i tyre kriminal, dëmi shkaktohet në miliona euro. Nga analiza na rezulton se tregjet kriminale në Shqipëri, paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, trafiku i narkotikëve ka shfaqur problematikë në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin.

Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Shkodër, Durrës, Laç dhe Fushë Krujë.

Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve. Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimet në prona, mbetet mënyra kryesore në pastrimin e parave në Shqipëri”, theksoi ai.

Lajmi në përditësim...