Cameron: Sulmet sistematike në El Fasher të Sudanit përbëjnë krime kundër njerëzimit

Dhuna rreth qytetit El Fasher në Sudan është e tmerrshme. Fshatrat përreth janë djegur. Spitalet janë shkatërruar. Qindra janë vrarë dhe plagosur nga luftimet e ditëve të fundit, dhe mbi 800 000 civilë nuk kanë asnjë mjet shpëtimi, deklaroi i shqetësuar sekretari i Jashtëm briitanik Lord Cameron në faqen zyrtare të qeverisë.

‘’Jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet shumë të besueshme se një pjesë e dhunës në Darfur është e motivuar etnikisht. Sulmet kundër fiseve Masalit, Fur, Zaghawa dhe komuniteteve të tjera joarabe nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe milicitë aleate tashmë po ndodhin rreth El Fasher. Modeli i vazhdueshëm i dhunës në Darfur, duke përfshirë sulmet e dukshme sistematike kundër civilëve, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit’’, theksoi Cameron.

‘’Dënoj gjithashtu bombardimet ajrore në zonat me popullsi të dendur nga Forcat e Armatosura sudaneze (RSF), të cilat kanë çuar në humbje katastrofike të jetës civile’’, shtoi ai.

‘’Është në kompetencën e palëve ndërluftuese ta ndalojnë këtë. RSF duhet të ndalë rrethimin e El Fasher dhe të dyja palët duhet të de-përshkallëzojnë menjëherë. Të dyja palët duhet të respektojnë plotësisht angazhimet e marra në ‘’Deklaratën e Jeddah’’, duke përfshirë lejimin e aksesit të sigurtë humanitar dhe respektimin e detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar’’, shkroi ai.

‘’Ne duhet të mbajmë përgjegjësi për ata që janë përgjegjës për dhunën kundër civilëve. Ne kemi detaje se kush është përgjegjës në terren, dhe do të përdorim të gjitha mundësitë për të penguar financimin e atyre që kryejnë dhunën’’, përfundoi deklarat e Cameron.