Ministri izraelit sulmon Netanyahun për të ardhmen e Gazës
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ka shprehur zhgënjimin e hapur për dështimin e qeverisë për të adresuar çështjen e një plani të pasluftës për Gazën.
Në një shenjë të rrallë publike të ndarjeve mbi drejtimin e fushatës ushtarake brenda kabinetit të luftës të Izraelit, Gallant i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të deklarojë publikisht se Izraeli nuk ka plane për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në Gaza.
“Që nga tetori, unë e kam ngritur këtë çështje vazhdimisht në kabinet,” tha ai, “dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu u përgjigj ashpër, duke thënë se ai "nuk ishte gati të shkëmbente Hamastanin me Fatahstan", duke iu referuar grupeve rivale palestineze Hamas dhe Fatah.
Pavendosmëria, paralajmëroi ai, do të linte vetëm dy opsione të këqija në Gaza: sundimin e Hamasit ose sundimin ushtarak izraelit.
Ose "do të gërryente arritjet tona ushtarake, do të zvogëlonte presionin mbi Hamasin dhe do të sabotonte shanset për të arritur një kornizë për lirimin e pengjeve," tha zoti Gallant.
Një tjetër anëtar i kabinetit të luftës, Benny Gantz - i cili nuk është pajtuar me Netanyahun në të kaluarën - u pajtua me ministrin e mbrojtjes: "Gallant flet të vërtetën. Është përgjegjësi e lidershipit të bëjë gjënë e duhur për vendin me çdo kusht."
Gallant tha se struktura e mbrojtjes, mbi të cilën ai kryeson, kishte paraqitur një plan lufte në kabinetin që në natën kur filloi pushtimi tokësor i Izraelit në Gaza tetorin e kaluar.
Ai tha se planet përfshinin propozime "për të krijuar një alternativë lokale qeverisëse palestineze joarmiqësore".
Një ditë pas Hamasit, tha ai, “do të arrihet vetëm nga entitetet palestineze që të marrin kontrollin e Gazës, të shoqëruar nga aktorë ndërkombëtarë”. Ai tha se këto propozime nuk janë debatuar asnjëherë dhe as nuk janë paraqitur ndonjë alternativë.
Gallant tha se dështimi për të përcaktuar një plan po e çonte Izraelin drejt një "kursi të rrezikshëm" që përfshin sundimin ushtarak dhe civil izraelit mbi Gazën.
Ai e përshkroi këtë perspektivë si "një opsion negativ dhe të rrezikshëm për shtetin e Izraelit nga pikëpamja strategjike, ushtarake dhe e sigurisë".
“Duhet të ritheksoj: nuk do të pajtohem me vendosjen e sundimit ushtarak izraelit në Gaza. Izraeli nuk duhet të vendosë sundim civil në Gaza.”
“I bëj thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të marrë një vendim dhe të deklarojë se Izraeli nuk do të vendosë kontroll civil mbi Rripin e Gazës, se Izraeli nuk do të vendosë qeverisje ushtarake në Rripin e Gazës dhe se një alternativë qeverisëse ndaj Hamasit në Rripin e Gazës do të të ngrihet menjëherë.”
Raportet e shtypit izraelit kanë përfshirë kohët e fundit sugjerime se liderët ushtarakë kanë dyshime të mëdha për mungesën e një plani të zbatueshëm për Gazën pas përfundimit të luftës. Komentet e Gallant këtë mbrëmje i nxjerrin në shesh këto dyshime në një mënyrë politikisht shpërthyese.
Në një vizitë në Ukrainë të mërkurën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken tha se Izraeli duhet të prodhojë një plan të qartë për të ardhmen e Gazës.
"Ne nuk mund të kemi anarki dhe një vakum që ka të ngjarë të mbushet nga kaosi," tha zoti Blinken. Netanyahu ka këmbëngulur më parë se diskutimet për qeverisjen e ardhshme të Gazës janë thjesht "fjalë boshe" për sa kohë që Hamasi mbetet në territor.
