Gratë e magjishme të Sandro Botiçelit
Ata janë të gjitha të grurta, të florinjta. Duket se gratë, në përfytyrimin dhe fuqin shprehëse të Sandro Botiçelit, janë krejt ndryshe ngase perceptimi rreket t'i rrëmbejë.
Ato janë sa të trishta aq dhe gëzuara, sa menduese aq dhe melankolike, sa misterioze aq dhe idilike.
Por nuk janë ato, ajo çfarë ne shohim në portretet e grave të Botiçelit, është vetë shpirti i mjeshtrit, është gjëndja e tij emocionale, është droja e tij përjetuese, pasiguria e rrëmbimit të së magjishmes së perëndisë grua.
Po, në këto portrete të diellta është gjendja në të cilën piktori përpëlitej.
Është ajo çfarë ai nguron ta shprehi me fjalë dhe me zë, por ka guximin dhe ne kemi mirësinë ta lexojmë nga peneli i tij, nga kolori dhe dritëhija, nga delikatesa e linjave dhe brishtësia e kontureve, nga nevoja që ai shpirt prej zjarri kishte për çlirim.
Ndërsa i kundrojmë sot në këtë set fotografik, vërejmë një trajtshmëri shprehëse konstante. Dukshëm ai pati një qasje të hyjshme me gratë.
Tek ai shohim një shpirt të etur për zjarr dhe përjetim, siç nuk e fsheh drojen për të qenë edhe ai vetë epja blatuese.
Në sytë e grave të Botiçelit ne lexojmë shpirtra që kridhen dhe përpëliten në detin e trazimtë të ndjenjave. Atyre shpesh u rrëzohet shikimi në boshin e arsyes për platitje.
Treten të heshtura në rizbulimin e një bote që i kthen mitet për të jetuar trillet, i ikin harbimeve për t'u derdhur në rrezatimin e diellit që vibron rrezesh në tablo, si një përkorje e shenjtëruar që u lejohet vetëm atyre, si një prehje e drithërimt që mund ta përçojnë si një dhimbje ato dhe vetëm ato.
Ata të shohin pikëllimshëm, siç të kundrojnë drojshëm e rreken të përfshihen dëshirimshëm në zjarrin e pasionit, siç rrinë ashtu të kyçura në mistikën e mitit dhe trillit.
Kokat e tyre janë të anuara, të këputura në ëndjen për prehje, si një lutje për pendesë. Por, ato janë të gjitha aty, të etura për t'u blatuar ndijimit dhe magjisë.
Janë aty që prej atëherë kur lindën nga peneli dhe shpirti i piktorit për të na pavdekësuar ne me dëshirën e zjarmshme për përjetim dhe emocion.



