Polonia ndërton mure në kufi, pasi po përballet me luftë hibride të emigrimit të jashtëligjshëm

Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi këtë të shtunë se vendi do të fillojë punën për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit lindor, pasi po përballet me luftë hibride të emigrimit të jashtëligjshëm.

Duke e vënë theksin tek rreziku nga Bjellorusia, u zotua se nuk do të kursejë asnjë shpenzim për sigurinë kufitare.

“Nuk dua që të ketë dyshime këtu, një vend me qëllime tejet agresive karshi Polonisë, siç është Bjellorusia, është duke e bashkëorganizuar këtë praktikë në kufirin polak”, u shpreh Tusk, por pa dhënë hollësi për veprimet e planifikuara.

Ai përmendi gjithashtu kërcënimin në rritje që rezulton nga lufta ruso-ukrainase, dhe situatën e pasigurt gjeopolitike në takimin me ushtarakët dhe rojet kufitare.

Varshava dhe BE e akuzuan Bjellorusisë në 2021 se kishte nxitur një valë emigrantësh për t’i bërë trysni BE-së në lidhje me sanksionet e vendosura kundër saj, por Minsku e ka mohuar vazhdimisht.
Tentimet për kalimin e kufirit kanë ardhur në rritje që atëherë, ku roja kufitare e Polonisë thotë se ka rreth 300 tentime në ditë.

Qeveria e kaluar polake ka ndërtuar një gardh metalik 180 kilometra i gjatë dhe 5.5 metra i lartë, për t’u mbrojtur nga emigrimi i jashtëligjshëm.

Ai është i pajisur me një sistem kamerash dhe sensorësh që vëzhgojnë kufirin por Tusk deklaroi se muret e reja do të ngrihen edhe përgjatë kufirit me Ukrainën dhe Rusinë.