Biden paralajmëron Netanyahu-n: Nuk do ta furnizoj Izraelin me armë për ta goditur qytetin Rafah
Presidenti Joe Biden tha të mërkurën në një intervistë për CNN, se nuk do ta furnizonte Izraelin me armë sulmuese që mund t’i përdor për të nisur një sulm në Rafah, baza e fundit e madhe e Hamasit në Gaza.
Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin se SHBA do të ndalojë furnizimin me disa armë nëse nis një operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.
"Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do të furnizoj armët që janë përdorur historikisht për t'u marrë me Rafah," tha ai gjatë një interviste për CNN.
Presidenti amerikan ka shprehur shqetësimin për sigurinë e më shumë se 1 milion civilëve të strehuar atje.
Ai tha se SHBA nuk e përkufizoi situatën aktuale në Rafah si një operacion tokësor. "Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë.
Ajo që ata bënë është pikërisht në kufi. Por ia kam bërë të qartë Kryeministrit izraelit Netanyahu dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë, nëse në fakt ata shkojnë në këto qendra të popullsisë.
Zoti Biden pranoi se armët amerikane ishin përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza.
I pyetur nëse Izraeli kishte kaluar një "vijë të kuqe", presidenti amerikan u përgjigj "jo ende".
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, konfirmoi më herët të mërkurën shtyrjen e dërgesës së armëve gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan.
Presidenti Biden i dërgoi një urdhër Pentagonit javën e kaluar duke kërkuar një pauzë të dërgimit të armëve të rënda, sipas zyrtarëve që nuk janë të autorizuar të flasin për këtë çështje.
Historikisht Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit ndihma të mëdha ushtarake. Kjo ndihmë u kërkua me urgjencë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael që la 1200 të vrarë. Militantët morën peng rreth 250 civilë.
Komentet e Presidentit Biden dhe vendimi i tij javën e kaluar për të ndaluar një dërgesë me bomba me fuqi të lartë në Izrael tregojnë mospajtimet në rritje midis administratës së tij dhe qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Presidenti Biden ka thënë se Izraeli duhet të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur jetët e civilëve në Gaza.


