Nga do anojë RMV-ja? Rrotacioni, i padiskutueshëm! Xhezairi: Mbetet për t’u parë sa e thellë është fitorja e VMRO-DPMNE
Që prej orëve të para të kësaj të mërkure qytetarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur si shumicën që do të formojë qeverinë e re, ashtu edhe për raundin e dytë të presidencialeve.
Partitë shqiptare gjatë fushatës nuk kanë folur për mbështetjen e asnjë prej dy kandidatëve, duke ua lënë në dorë qytetarëve të zgjedhin për cilin do të votojnë.
E në fakt debati politik është përqendruar tek ajo që analistët e kanë cilësuar përçarje e shqiptarëve që garojnë të ndarë me dy partitë rivale BDI dhe Vlen.
Dhe për të kuptuar më shumë mbi atë çfarë ka ndodhur sot dhe çfarë e pret Shkupin zyrtar pas këtyre votimeve, në studion e lajmeve në “Ora News” ishte analisti Seladin Xhezairi.
“Kur kanë mbetur rreth një orë nga mbyllja e votimeve, mund të vlerësohet se procesi ishte i lirë dhe pa ndonjë incident serioz që do të vinte në pikëpyetje këto zgjedhje që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, për shkak të të gjitha atyre që kemi dëgjuar gjatë fushatës elektorale.
Pres që në fund të ditës, para mesnatës të dalin rezultatet ku siç pritet fitues do të dalë VMRO-DPMNE me kandidaten e vet për Presidente.
Të gjitha gjasat janë që në garën mes partive shqiptare, BDI-ja do të jetë në avantazh ndaj VLEN.
Çdo i mandatuar për krijimin e qeverisë së re do bëhet për mos krijimin e një shumice të brishtë, kështu që do mbetet për t’u parë shifrat e këtyre votimeve që do të përcaktojnë se me kë VMRO-DPMNE do të bëjë koalicion me cilën prej partive shqiptare.
Nëse do të jetë një fitore e thellë, atëherë nuk do të ketë nevojë për koalicion.
Nëse fitorja është më e vogël, atëherë pala shqiptare do të krijonte tensione, ku nuk është herëa e parë që ndodh kjo”, u shpreh ndër të tjera analisti Seladin Xhezairi.


