KUJDES, PAMJE TË RËNDA!/ I vodhën telefonat në një "strip show" dhe u dhunua nga policia amerikane, studenti italian tenton të vras veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku një 25-vjeçar italian, është dhunuar nga policia në Miami.

Në videot e publikuara nga familjarët dhe avokatët e të riut, duken momentet kur 25-vjeçari italian, Matteo Falcinelli ulërin nga dhimbja kur oficerët i lidhin duart pas shpine duke ia shtrënguar me një rrip. Ai i lutet oficerëve të ndalojnë por kjo nuk ka ndryshuar asgjë.

Ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt, ndërsa gjithçka ka nisur pasi i riu që po ndiqte një program master në biznesin e turizmit në Miami, vizitoi një klub ku tha se kishte pirë dy kokteje dhe kishte parë një strip show.

Më pas, sipas avokatit të tij, ai kuptoi se dikush i kishte marrë dy celularët nga xhaketa. Pas tensionit me pronarët e dyqanit, Falcinelli doli në rrugë, ku po e priste policia.

I irrituar, siç raporton shtypi italian, ai i kërkoi policisë amerikane që të merrte masa për të rimarrë celularët, ku kishte edhe kodet e llogarisë bankare.

Në këtë moment 25-vjeçari u vendos me fytyrë në asfalt, ndërsa oficeri i shtypte fytyrën.

Menjëherë më pas, një oficer i sigurisë së dyqanit i ka dorëzuar një punonjësi policie celularët e studentit.

25-vjeçari italian është dërguar në komisariat, ku siç tregohet nga video e transmetuar nga disa media, është dhunuar rëndë. Ky abuzim zgjati trembëdhjetë minuta , ku i riu përsëriste se kërkonte vetëm respektimin e të drejtave të tij dhe qante nga dhimbjet e tmerrshme.

Nëna e tij tregoi se djali i saj, pas kësaj eksperience traumatike, ka tentuar të vriste veten katër herë.