8 vjet nga hyrja e Kosovës në UEFA, Presidenti Ademi: Ishte vendimi që i dha fund izolimit tonë të padrejtë
Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në kongresin e UEFA-s në Budapest, më 3 maj 2016, duke u bërë kështu anëtarja e 55-të e kësaj organizate evropiane të futbollit.
Kryetari i kohës i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili ishte i pranishëm në kongresin e UEFA-as, anëtarësimin e Kosovës në UEFA e cilësoi një arritje historike dhe një drejtësi të vonuar.
“Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahut që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as në Meksikë që zhvillohet javën e ardhshme. Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, tha Vokrri.
Kundër anëtarësimit u pozicionua Serbia. “Politika dhe futbolli nuk duhet të ngatërrohen në mënyrën më të shëmtuar. Ne do të kujdesemi për një protestë në rajon”, tha para votimit Tomislav Karaxhiq, shef i Federatës të Futbollit të Serbisë.
Anëtarësimi në UEFA iu mundësoi ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, kjo i hapi rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Meksiko Siti, në kongresin e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2016.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se 3 maji është datë historike për futbollin e Kosovës, datë kjo e cila shënon pranimin e Kosovës në UEFA, që ndodhi në vitin 2016.

Tetë vite më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në kryeqytetin e Hungarisë – Budapest duke i dhënë kështu fund izolimit të futbollit kosovarë.
“3 maj, 2016 është data që ka hyrë në analet e historisë së Kosovës, e në veçanti futbollit. Si sot, 8 vjet më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në kryeqytetin e Hungarisë – Budapest. Ky ishte vendimi që i dha fund izolimit tonë të padrejtë prej dy dekadash e gjysmë. Kalimi i kësaj sfide nuk ishte i lehtë, mirëpo mes emocioneve përplot tension e ankth gjatë punimeve të këtij kongresi, në fund fitoi e drejta – fitoi Kosova.Nga aty filloi një epokë e re për Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga ajo ditë, zhvillimi e sukseset kanë shënuar rritje të vazhdueshme”, ka shkruar Ademi.
Ai ka shtuar se klubet e futbollit të Kosovës kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz.
“Klubet tona kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz. Niveli i ligës është rritur dukshëm dhe jemi ndër kampionatet më të vlerësuara në rajonin tonë. Ekipet kombëtare janë konsoliduar, kanë bërë përparime të dukshme dhe janë në ndjekje të ëndrrës së madhe – kualifikimit në finalet e kompeticioneve madhore”, ka shtuar ai. /KosovaPress/


