NJË NEANDERTAL NË 3D/ Shkencëtarët arritën të rindërtonin pamjen e një 40-vjeçareje
Shkencëtarët kanë arritur të rindërtojnë kafkën e një Neandertali grua, duke sjellë një model në “3D” se si dukej 40 mijë vite më parë. Puna zgjati për disa vite, ndërsa gjithçka nisi pas zbulimit të mbetjeve në një shpellë në Kurdistan. Shkencëtarët thonë se në të njëjtin vend u gjetën edhe 10 skelete të tjera
Neandertalët u zhdukën 40 mijë vjet më parë, mirëpo shkencëtarët arritën të bashkonin pjesët e disa fosileve të gjetura, duke e risjellë portretin e një gruaje në formë “3D”.
Rezultati ishte i jashtëzakonshëm!
“Është emocionuese dhe një privilegj i vërtetë që të jepet për të punuar me eshtrat e çdo individi, por veçanërisht me një të veçantë si ajo. Unë mendoj se mund të na ndihmojë të lidhemi me ata që ishin”, tha Dr. Emma Pomeroy, një paleoantropologe në Universitetin e Kembrixhit.

Ajo tregon se kockat ishin aq të buta kur u gjetën, ndaj dhe fillimisht punuan për t’i forcuar, para se t’i bashkonin.
“Kafka ishte e sheshtë si një pica, dhe e butë si një biskotë. Është bërë një udhëtim i gjatë për të shkuar tek kjo që shihni tani”, shtoi ajo.
Kafka u gjet në shpellën Shanidar në Kurdistanin irakian. Në vitin 1950 aty u zbuluan eshtrat e të paktën 10 burrave, grave dhe fëmijëve të Neandertalit.
Gjithashtu, në vitin 2015 autoritetet kurde njoftuan se gjetën një skelet, që përfshinte shtyllën kurrizore, shpatullat, krahët edhe duart.
Ndërsa kafka ishte tërësisht e shtypur, e cila kërkoi vite për t'u rindërtuar.

Për të përcaktuar gjininë, si edhe moshën studiuesit analizuan disa proteina dominuese që gjenden në smaltin e dhëmbëve e në fund u përfitua rezultati i një gruaje që kishte ndërruar jetë rreth të 40-ve.
Me gjasa shpella ka shërbyer si një vend varrimi, pasi trupat janë të vendosur pranë njëri-tjetrit, në një drejtim. Ndërsa shkencëtarët shtojnë se rindërtimi ndryshon konceptin mbi mënyrën e jetesës në atë kohë.


