Tornadot “rrafshojnë” SHBA-në qendrore/ Të paktën 5 viktima e qindra të plagosur. Disa zona në emergjencë

Të paktën pesë persona, duke përfshirë një foshnjë katër muajshe, janë vrarë pasi dhjetëra tornado u shënuan në Shtetet qendrore të SHBA. Shkatërrimi që kanë lënë pas është i madh

Moti i keq gjatë fundjavës ka sjellë efekte shkatërruese në qendër të SHBA-ve. Mbi 70 tornado në 3 ditë shkaktuan 5 të vdekur dhe qindra të plagosur. Disa qarqe mbeten në kërkim të mëshirës së natyrës.

Më shumë se 70 tornado shkatërruese goditën SHBA-në qendrore gjatë fundjavës.

Të paktën pesë persona, duke përfshirë një foshnjë katër muajshe kanë humbur jetën. Dhjetëra të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive që nisën që të premten.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se disa nga tornadot e së shtunës kishin arritur një shpejtësi prej 218 km në orë.

Në Oklahoma, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në disa qarqe. Qyteti i Sulphur, në lindje, u godit më rëndë! Video e pasojave tregojnë shtëpi të rrafshuara dhe automjete të përmbysura.

Sipas Departamentit të Shëndetit u raportuan mbi 100 persona të lënduar. Qytetet Holdenville dhe Marietta u dëmtuan gjithashtu.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve atje, Charles Mçall, këmbënguli se zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore do të rimëkëmben shumë shpejt.

“Ne do të ngrihemi, do të pastrojmë, do të rindërtojmë dhe do të ecim përpara”, tha ai në një konferencë shtypi në Sulfur gjatë së dielës.

Guvernatori i shtetit, Kevin Stitt, vizitoi gjithashtu qytetin dhe tha se dëmet e shkaktuara atje ishin më të rëndat që kishte parë në gjashtë vitet e tij në detyrë. “Thjesht nuk mund ta besoj gjithë këtë shkatërrimin”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan Joe Biden kishte folur me Stitt duke i ofruar mbështetjen e plotë të qeverisë federale. Gjatë javësh parashikohet të vijojë moti i ashpër.

Kërcënimi i tornadove është më i ulët, por rastet e erërave të dëmshme dhe breshërit priten ende, veçanërisht në veri-lindje të Teksasit, Luizianën veriore, Arkansas dhe Misurin jugor.