Nuk ka kallëzim për Olsi Ramën, SPAK nuk regjistron as kërkesën për padi të rreme ndaj Bardhit

Me argumentin se Gazmend Bardhi nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës, SPAK nuk ka regjistruar as padinë për kallëzim të rremë të nisur nga vëllai i kryeministrit. Në argumentin e akuzës shtohet se për të bërë këtë veprim do të duhej që kryetari i grupit parlamentar demokrat të kishte dorëzuar dokumentin pranë organit të akuzës.

Në regjistrin e njoftimeve të veprave penale, informohet se nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë kallëzim penal. Me këtë argument SPAK ka vendosur të mos regjistrojë padinë e ngritur nga Olsi Rama ndaj gazmend bardhit për kallëzim të rremë

Më tej ën argument shtohet që të pranohej kjo kërkesë do të duhej që më parë i padituri të kishte kryer veprime konkrete qoftë pranë prokurorisë së posaçme apo edhe pranë policisë gjyqësore. Ndërkaq argumentet u janë dërguar personave të interesuar.

Konflikti nisi në 28 mars kur kryetari i grupit parlamentar të PD akuzoi se në dosjen Xibraka është edhe vëllai I kryeministrit Edi Rama duke shtuar se policia ka deklaruar në atë kohë për një person të paidentifikuar.

Më tej ai ka shtuar se Olsi Rama ka përdorur të njëjtin mjet me personat e përfshirë në laboratorin e drogës, e për këtë tha se do të kërkonte në SPAK rihapjen e dosjes së asaj periudhe duke shtuar se ajo ishte me statusin e pezulluar.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe Olsi Rama duke i cilësuar të pavërteta e se për këtë do të ngrite padi në SPAK. Edhe kryeministri Edi Rama i ka cilësuar shpifje dhe deklarata të pavërteta.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të SPAK për të mos pranuar kallëzimin e Olsi Ramës ndaj Bardhit, duke konstatuar se nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Edi Rama nuk mund të fshihet më! Pretendimi i tij se nuk jep shpjegime në Kuvend, sepse kërkuesi i interpelancës është kallëzuar në SPAK, është rrëzuar më 17 Prill. Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitojë kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kërkesën për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016. SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu!