“PËRMBYTET” KINA/ 3 viktima, 11 të zhdukur, 60 mijë të evakuuar nga shirat e dendura

Kina është përfshirë nga shirat e dendura që kanë shkaktuar përmbytje masive në gjithë vendin. Autoritetet njoftuan se situata mbetet alarmante të paktën deri të martën

Të paktën 3 persona kanë vdekur dhe 11 janë raportuar të zhdukur pas përmbytjeve masive në Kinë, ndërsa rreth 60 mijë të tjerë janë evakuuar.

Vendi i nisi përgatitjet për motin e keq para fundjavës, megjithatë pasojat e reshjeve intensive ishte e pamundur të shmangeshin.

Veç kësaj, autoritetet kanë njoftuar se situata e reshjeve do të vijojë të paktën deri të martën.

Pamjet e publikuara treguan sipërfaqe të përmbytura, pemë të rrëzuara, automjete dhe ndërtesa të shkatërruara.

Disa lumenj kanë dalë nga shtrati duke përfshirë në rrejhën e tyre ura dhe infrastrukturë

Në të gjithë krahinën Guangdong ,që ishte më e prekura, rreth 1.16 milionë familje humbën energjinë elektrike gjatë fundjavës, ndërsa fluturimet u pezulluan komplet.

Paraprakisht zyrtarët e vlerësojnë dëmin ekonomik afro 19.8 milionë dollarë.

Kujtojmë se korrikun e kaluar, kryeqyteti i Kinës, Pekini dhe provincat përreth, u përmbytën nga shira të dendur pasi një seri tajfunesh nga Oqeani Paqësor dolën në tokë. Atë javë, Pekini përjetoi reshjet më të mëdha në 140 vjet.