Lekët e Belerit, pa gjurmë/ “8 vota kundrejt 400 mijë lekëve”, Policia Shkencore pa rezultat në ekspertimin e kartëmonedhave
Në vendimin e zbardhur për dënimin e Fredi Belerit evidentohet fakti se shuma prej 400 mijë lekësh, e cila do t’i jepej Arsen Ramës për 8 vota rezultojnë pa zot. Kjo për shkak se Policia Shkencore nuk ka pasur rezultat në evidentimin e gjurmëve të gishtërinjve në 8 kartëmonedhat 50 mijë lekëshe.
Shuma prej 400 mijë lekësh me prerje 50-she, të cilat janë gjetur në momentin e arrestimit të kandidatit fitues për Bashkinë e Himarës, rezultojnë pa zot.
Sipas dosjes së siguruar nga “Ora News” këto kartëmonedha janë dërguar për ekspertizë daltilo-skopike në Departamentin e Policisë Shkencore rreth 10 ditë nga ndalimi i Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit në Potam.
Në përgjigjen e saj, Instituti i Policisë Shkencore me 13 qershor thotë se gjatë ekspertimit të këtyre monedhave nuk janë administruar gjumë papliare të vlefshme për identifikim.
Këto para, sipas SPAK-ut, ishin dhënë nga Fredi Beleri drejt bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, me qëllim blerjen e 8 votave për zgjedhjet e 14 Majit.
Ato do t’i jepeshin bashkëpunëtorit, Arsen Rama, që në atë kohë ishte i infiltruar i policisë.
Por pavarësisht kësaj prokuroria, ka pasur në dorë përgjime ambientale, por prova të forta hetuesit i kanë marrë nga telefoni i Pandeli Kokaveshit.
Hetuesit e SPAK-ut e kanë pasur të pamundur të zbërthejnë telefonin e Fredi belerit, nga ku mund të gjenin prova të tjera.
Fredi Beleri u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 6 muaj burg për korrupsion zgjedhor.
Mbrojta e tij, po përgatit edhe argumentet me qëllim kundërshtimin e vendimit në Gjykatën e Apelit.


