Erdogan: Netanyahu përgjegjës për sulmin e Iranit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar kryeministrin izraelit Benyamin Netanyahu si “përgjegjës” për sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

“Një luftë rajonale nuk duket larg realitetit, zhvillimet e fundit e tregojnë këtë”, tha presidenti turk, duke iu referuar tensioneve midis Iranit dhe Izraelit, gjatë një fjalimi para kombit pas një takimi të kabinetit.

“Personi i parë që duhet dënuar është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu”, tha Erdogan, duke folur për standarde të dyfishta nga Perëndimi.

“Nëse shtypja nuk përfundon në Gaza, i gjithë rajoni do të ekspozohet ndaj konfliktit”, tha kreu i shtetit turk, duke ftuar “botën islame” të ngrejë zërin.