“Rajoni është në buzë të një humnerë” - BE planifikon sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmeve në Izrael
Bashkimi Evropian po planifikon sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmeve me raketa dhe dronë të Teheranit ndaj Izraelit, tha sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Bruksel.
“Rajoni është në buzë të një humnerë”, paralajmëroi Borrell, duke përshkruar situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme. “Duhet të largohemi prej saj”, shtoi ai.
“Masat e reja ndëshkuese mund të përcaktohen përmes një regjimi sanksionesh të vendosura pasi Irani filloi të mbështesë luftën ruse kundër Ukrainës duke furnizuar Moskën me drone”, tha Borrell.
Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan sulmin iranian në një video-konferencë, të thirrur posaçërisht pasi Irani sulmoi drejtpërdrejt Izraelin të shtunën, për herë të parë në historinë e Republikës Islamike, si hakmarrje për vrasjen e oficerëve të lartë iranianë në Siri në fillim të muajit prill.

