Biden do të presë liderin irakian, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme rriten

Presidenti amerikan, Joe Biden do të presë liderin irakian këtë javë për bisedime, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur për shkak të luftës në Gaza dhe sulmit të paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit gjatë fundjavës, si hakmarrje për një sulm ushtarak izraelit kundër një objekti iranian në Siri.

Rritja e mprehtë e frikës për sigurinë ka ngritur pyetje të mëtejshme në lidhje me qëndrueshmërinë e pranisë ushtarake 20-vjeçare amerikane në Irak, përmes së cilës fluturuan ose u lëshuan pjesë të sulmit me dron dhe raketa të Iranit ndaj Izraelit, të shtunën.

Një bateri amerikane ”Patriot” në Irbil, Irak, rrëzoi të paktën një raketë balistike iraniane, sipas zyrtarëve amerikanë.

Për më tepër, përfaqësuesit iranianë kanë iniciuar sulme kundër interesave të SHBA në të gjithë rajonin nga brenda Irakut, duke e bërë takimin e së hënës midis Biden dhe kryeministrit irakian Shia al-Sudani edhe më kritik.

Bisedimet do të përfshijnë një diskutim të stabilitetit rajonal dhe dislokimeve të ardhshme të trupave amerikane, por gjithashtu do të fokusohen në çështjet ekonomike, tregtare dhe energjetike që janë bërë një prioritet kryesor për qeverinë irakiane, sipas zyrtarëve amerikanë.

Biden dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të diskutojnë praninë e trupave amerikane në takimet me al-Sudanin.