Drejtori i Urgjencës në QSUNT, Zaimi: Në gatishmëri, nuk e kemi ndërprerë punën në asnjë moment

Shefi i Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Edmond Zaimi tha se “urgjenca ka qenë në gatishmëri dhe nuk e kemi ndërprerë punën në asnjë moment”.

Në fjalën e tij në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Zaimi tha se “për shkak të dëmtimit edhe të kabinetit të Fibrogastroskopisë fillimisht urgjencat gastropatologjike u transferuan në Spitalin e Traumës, ashtu siç u transferuan edhe urgjencat e tjera në spitalin “Shefqet Ndroqi, ku ne dërguam edhe pjesë të stafit tonë për të shërbyer, si dhe mjekë të specializuar nga kardiologjia dhe gastropatologjia në të dy këto spitale”.

“Shërbimi i Urgjencës nuk ka çaluar në asnjë moment, ne kemi qëndruar gjithë kohën hapur për të pritur urgjencat ekstreme deri sa organizuam punën për të pritur fillimisht urgjencat neurologjike për të qenë sa më të shfrytëzuara dhe imazherinë që ishte në dispozicion tonë”, tha Zaimi.

Zaimi u shpreh se “urgjencat ekstreme kanë marrë ndihmë tek ne, kemi shpëtuar arreste kardiake dhe kemi menaxhuar raste ekstreme. Vetëm ditën e djeshme patëm 174 raste urgjente të paraqitura në urgjencën tonë. E vetmja pjesë që nuk funksionin për shkak të defektit elektrik të përgjithshëm është pjesa e observimit të urgjencës”.

Ai u bëri apel qytetarëve që kur kanë raste të lehta për t’u trajtuar, t’u drejtohen qendrave shëndetësore.

Zaimi bëri të ditur se “është rritur gjithashtu komunikimi me spitalet rajonale, të cilat duhet të mbajnë ato raste, që normalisht duhet t’i mbajnë ata”.