U arrestua për “Vjedhje dhe mbivendosje të pronave” në Bërxullë, si i shpëtoi dënimit për fshehjen e pasurisë Ymer Marku
Ymer Marku, ish-kryetari i Komunës Bërxullë aktualisht është arrestuar nga policia dhe shoqëruar në ambjentet e komisariatit të Vorës.
Arrestimi i ish-funksionarit të Partisë Demokratike, ka ndodhur pas hetimeve penale lidhur me një sipërfaqe toke që ndodhet në zonën kadastrale Nr. 1167. nr pasurie 1032/1 në ish-komunën Bërxullë.
Ka qënë prokurori Adriano Dyrmishi, që pak ditë më parë ju drejtua me një kërkesë gjykatës së Tiranës, duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” për Ymer Markun, specilistin e zyrës së Mbrojtjes dhe administrimit të Tokës Kujtim Balliu, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci dhe një banor të zonës së Bërxullës, Kujtim Allmeta.
Po kështu, kjo prokurori kërkoi sekuestrimin e pasurisë 7.500 metër katror tokë e llojit “Arrë” e cila pasi u përfitua në mënyrë të paligjshme nga Kujtim Allmeta iu shit shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.
Një skemë e tillë falsifikimi me qëllim vjedhjen e pronave shtetërore dhe banorëve të zonës, është kryer dhe zbuluar në zonën e Spillesë, Velipojës, “Rranës së Hedhun” në Shëngjin, “Tale” të Lezhës etj.
Ymer Marku ka qenë kryetar i Komunës Bërxullë nga viti 2003 deri në vitin 20015, ku është lakuar për abuzime, fshehje pasurie dhe pasuri të pajustifikuar.
Në vitin 2010 Ymer Marku është marrë i pandehur për deklarim të rremë të pasurisë nga prokurori Julian Xhengo, por që Marku i shpëtoi dënimit në mënyrë të dyshimtë.
Në vitin 2004, Ymer Marku ka deklaruar një shtëpi banimi në Tiranë me vlerë 2 milionë lekë, një lokal me vlerë 5 milionë lekë dhe një makinë 400 mijë lekë.
Sipas dosjes penale, Ymer Marku e ka deklaruar edhe një herë shtëpinë private, këtë herë në vlerë rreth 100 mijë euro dhe lokalin, këtë herë në vlerë rreth 140 mijë USD, si 3 dynym tokë me vlerë 60 mijë USD, si dhe makinë Benz 15 mijë USD.
Por, prokuroria ka zbuluar një llogari të Ymer Markut, në Tirana Bank, ku qarkullonin para të dyshimta dhe të padeklaruara.
Në vitin 2006, në llogarinë e Ymer Markut është derdhur shuma 71 mijë euro, transaksion ky që nuk është deklaruar nga ish kryetari i komunës.
Një vit më vonë, në 2007, në llogarinë e tij janë derdhur edhe 45 milionë lekë, edhe kjo shumë e padeklaruar. Sipas prokurorisë, Marku nuk i justifikonte këto para me burime të ligjshme të ardhurash.
ILDKPKI ka zbuluar edhe një makinë Benz ML në pronësi të Markut, të cilën e kishte deklaruar më çmim qesharak 2.3 mijë euro.
Për paratë në llogarinë në Tirana Bank, Ymer Marku ka sajuar një alibi, sikur paratë ia ka dërguar Admir Aliaj nga Anglia, me qëllim që Marku t’ua japë prindërve të tij.
Një justifikim, pa asnjë dokument në kohën e depozitimit të parave, por që gjyqtari Martin Deda e ka pranuar, duke shpallur në atë kohë Ymer Markun të pafajshëm.


