Basha: Rezoluta për Ukrainën do të votohet të martën në Asamblenë Parlamentare të KiE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se rezoluta për Ukrainën do të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ditën e martë.

“Do të diskutohet çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, dhe menjëherë pas kësaj do të diskutohet rezoluta që është propozuar nga unë. Pra, pasditen e së martës presim lajme të mira edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, edhe për këtë hap historik që është aprovimi i rezolutës për të cilën unë jam reporteri dhe kam punuar për një kohë të gjatë që kërkon ngritjen e një mekanizmi që kërkon konfiskimin e aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosjen ato në dispozicion të Ukrainës. Zanafilla e angazhimit tim ka të bëjë me një bashkëpunim do thoja të thellë dhe prej kohësh me disa nga faktorët e rëndësishëm të çështjeve të tilla, të çështjeve të sigurisë, të çështjeve të financave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Basha gjatë një interviste në medie.

Basha u ndal dhe te zhvillimet politike në vend ku foli për angazhimin e lobistëve me para kundër Partisë Demokratike zyrtare dhe kundër tij personalisht.

“Të paktën në dy raste të evidentuara nga zyrtarë të Partisë Popullore Europiane , ku sipas mendimit të njërit prej tyre, në një prej këtyre dy rasteve kishte një bashkëpunim të nëndheshëm mes Berishës dhe Ramës. Apo për shembull në Këshillin e Europës, në momentin që nisi rrugëtimi i rezolutës për konfiskimin e aseteve ruse, erdhën sinjalizime, letra anonime të nisura qartësisht nga aktorë aktual të Foltores për të goditur kredibilitetin e reporterit, duke cituar pikërisht çështjen McGonigal. Dhe në këtë rast nuk ishte Edi Rama që e bënte”, tha ai.